Qeveria e Kosovës nderon figurat historike në 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit
BKT
Lajme

Qeveria e Kosovës nderon figurat historike në 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit

E.Hoti/RTKlive

Qeveria e Republikës së Kosovës ka përkujtuar 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, duke nderuar atdhetarët dhe intelektualët që kontribuuan në njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Në një mesazh urimi, Qeveria ka veçuar kontributin e Mithat Frashërit, Gjergj Fishtës, Parashqevi Qiriazit, Luigj Gurakuqit, Ndre Mjedës dhe figurave të tjera që morën pjesë në këtë ngjarje historike.

Në mesazh theksohet se Kongresi i Manastirit dëshmoi fuqinë e organizimit dhe dijes në shërbim të bashkimit kombëtar.

“Dallimet u kapërcyen në emër të një qëllimi të përbashkët: që shqiptarët të mësonin, të shkruanin dhe të ndërtonin të ardhmen në gjuhën e tyre”, thuhet në mesazhin e Qeverisë.

Po ashtu, Qeveria ka theksuar rëndësinë e investimit në arsim cilësor, mbështetjes për mësimdhënësit, librin dhe shkencën, si dhe ruajtjes së gjuhës shqipe në institucione dhe në mërgatë.

"Përgjegjësia jonë është ta vazhdojmë këtë punë me arsim publik cilësor, me mbështetje për mësimdhënësit, librin dhe shkencën, me ngritje të mësimdhënies e mësimnxënies, me kujdes për shqipen në institucione dhe me mundësi të qëndrueshme për mësimin e saj në mërgatë. Bashkimi që u ndërtua përmes shkronjave duhet të thellohet përmes dijes dhe mundësive të barabarta për çdo brez.Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!", thuhet tutje në mesazhin e Qeverisë së Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme