13:29 / 22.11.2026
Haxhiu: Gjuha shqipe është pasuria që na bashkon
E.Hoti/RTKlive
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka kujtuar Kongresin e Manastirit të vitit 1908, ku përfaqësues nga treva të ndryshme shqiptare dhe mërgata arritën marrëveshjen për alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe.
Ajo ka theksuar se rilindësit, pavarësisht dallimeve, vendosën gjuhën dhe interesin kombëtar mbi çdo ndarje.
“Gjuha shqipe është pasuria që na bashkon, dhe mësuesit janë ata që me punën e tyre e mbajnë gjallë dhe e përcjellin ndër breza”, ka shkruar Haxhiu.
Në fund, ajo ka uruar të gjithë mësuesit për punën dhe kontributin e tyre.






















