Kurti nga Manastiri: E ardhmja jonë është e shkruar në gjuhën e bukur shqipe
BKT
Lajme

Kurti nga Manastiri: E ardhmja jonë është e shkruar në gjuhën e bukur shqipe

B.H./RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 118-vjetorit të Kongresit të Alfabetit, në Manastir, ku ka vënë në pah rëndësinë historike të këtij momenti për bashkimin e shqiptarëve, duke theksuar se mësimi i delegatëve të vitit 1908 mbetet aktual edhe sot.

Në ceremoninë ku morën pjesë përfaqësues të lartë institucionalë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, Kurti ka rikujtuar se Kongresi i Manastirit bashkoi rreth 50 delegatë me bindje të ndryshme fetare, politike dhe kulturore, të cilët, pavarësisht dallimeve, arritën të gjejnë një gjuhë të përbashkët për alfabetin shqip.

Duke e cilësuar këtë si një prej mësimeve më të rëndësishme të historisë shqiptare, Kurti ka theksuar se bashkimi nuk nënkupton domosdoshmërisht pajtimin për gjithçka.

“Marrëveshja nuk kërkon që të zhduken të gjitha dallimet, por kërkon që të vendosim mbi to diçka më të madhe se secili prej nesh veçmas”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka rikujtuar se delegatët e Kongresit vinin nga katër vilajetet shqiptare dhe nga vende të ndryshme të botës, ndërsa përfaqësonin komunitete, bindje dhe pikëpamje të ndryshme.

“Dialekti nuk u bë kufi shtetëror, ndërsa alfabeti që te të tjerët ishte flamur përçarjeje, te ne u kthye e u bë tryezë bisedimi dhe faktor bashkimi. Feja nuk u bë kufi kombëtar”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, vendimi i Kongresit për të pranuar dy alfabete, ndonëse nuk ishte zgjidhja përfundimtare, ishte një kompromis largpamës që i hapi rrugë njësimit të shkrimit të shqipes.

Kurti ka theksuar se ky vendim duhet të shërbejë si shembull edhe për politikën shqiptare të ditëve të sotme, kur dallimet shpeshherë bëhen pengesë për bashkëpunim.

“Atdhetarët e 1908-tës lanë një mësim të thjeshtë për ne. Marrëveshja nuk kërkon që të zhduken të gjitha dallimet, por kërkon që të vendosim mbi to diçka më të madhe se secili prej nesh veçmas”, ka theksuar ai.

Duke folur për sfidat e kohës moderne, kryeministri është ndalur edhe te ndikimi i teknologjisë, robotikës dhe inteligjencës artificiale në zhvillimin e gjuhës shqipe.

Ai ka kërkuar angazhim më të madh institucional dhe akademik për pasurimin e terminologjisë shqipe dhe përshtatjen e fjalëve të reja që sjellin zhvillimet teknologjike.

“Shqiptarët ia kanë borxh këtë gjuhës së tyre, ngaqë ruajtja dhe mbrojtja më e mirë dhe më e suksesshme e gjuhës shqipe është pikërisht zgjerimi dhe përparimi i saj me fjalë e shprehje të reja për këto kohë të reja e kaq të shpejta të shekullit XXI”, ka deklaruar Kurti.

Në fund të fjalimit të tij, Kurti ka shprehur bindjen se bashkëpunimi dhe puna e përbashkët janë rruga për të përballuar sfidat e së ardhmes.

“Duke menduar a thua se çka do të mendonin Rilindasit tanë sot dhe duke qëndruar e duke punuar bashkë, sigurisht që do t’ia dalim. E ardhmja jonë është e shkruar në gjuhën e bukur shqipe”, ka përfunduar kryeministri.


MË SHUME NGA Lajme