Haxhiu: Brenda javës pritet nisma e re ligjore për Dhomat e Specializuara
BKT
Lajme

Haxhiu: Brenda javës pritet nisma e re ligjore për Dhomat e Specializuara

Edona Podvorica /RTK

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se brenda kësaj jave pritet të procedohet një nismë e re ligjore lidhur me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu tha se për ligjin e kthyer nga Presidenca është kërkuar opinion juridik lidhur me veprimet e mëtejme procedurale.

Sipas saj, bazuar në Rregulloren e Kuvendit, komisioni përkatës ka pasur katër javë kohë për ta proceduar raportin në seancë plenare, por ky afat tashmë ka kaluar. Ajo tha se nga shërbimet përgjegjëse është kërkuar sqarim se si duhet të veprohet në rrethanat kur afati për shqyrtimin e një ligji të kthyer nga Presidenca përfundon pa u proceduar raporti.

Haxhiu bëri të ditur se, sipas informacioneve që ka, një nismë e re lidhur me këtë çështje do të procedohet brenda javës, ndërsa përmbajtja e saj do të diskutohet pasi të dorëzohet zyrtarisht në Kuvend. Ajo tha se deri më tani çështjet e ngritura kanë qenë kryesisht të natyrës procedurale dhe se, pas tejkalimit të tyre, pritet të ketë një draft të ri.

Ndërkaq, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që vazhdimi i seancës me pikat e papërfunduara të mbahet në orën 10:00, ndërsa seanca e rregullt në orën 13:00.

Në seancën e parë pritet të trajtohen rezoluta nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, çështjet e furnizimit me energji elektrike, emërimi i anëtarit të Këshillit Kombëtar të Shkencës në Bordin e RTK-së, si dhe rekomandimi për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil. Në agjendë janë edhe çështje që lidhen me emërimet në komisionet parlamentare.


MË SHUME NGA Lajme