Vendoset gurthemeli për rindërtimin e urës mbi Sitnicë
V.Th / RTKLive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe kryetarin e Mitrovicës, Faton Peci, kanë vënë të hënën gurthemelin e projektit për rikonstruktimin e urës mbi lumin Sitnicë.
Vlera e projektit është 700 mijë euro, investim i përbashkët i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komunës së Mitrovicës, njofton Zyra e Kryeministrit.
Kurti e cilësoi këtë projekt si investim të rëndësishëm për qytetarët, duke theksuar se në Mitrovicë po ndërtohen ura që kanë munguar në të kaluarën.
“Ne ndërtojmë ura anembanë Kosovës, por natyrisht, më shumë, e më shpejt, e më shpesh, aty ku kanë munguar në të kaluarën, e kjo është pikërisht Mitrovica”, tha Kurti.
Ai rikujtoi se vitin e kaluar në Mitrovicë janë përuruar dy ura të reja mbi lumin Ibër, ndërsa një e tretë është në ndërtim e sipër.
Kurti tha se punimet për projektin mbi Sitnicë tashmë kanë nisur dhe shprehu besimin se së shpejti do të bëhet edhe përurimi i urës së rindërtuar.






















