Përfundon projekti për zhvillimin e shkathtësive e punësimin e qëndrueshëm në Kosovë
A.B/RTKLive
Nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Naim Gashi, është mbajtur takimi i katërt i Këshillit Drejtues të projektit “Shkathtësitë për Punësim të Qëndrueshëm në Kosovë” (KSV/021), në të cilin u prezantuan rezultatet përfundimtare të projektit dhe u miratua raporti financiar.
Projekti KSV/021, i financuar nga Qeveria e Luksemburgut dhe i zbatuar nga Agjencia e Luksemburgut për Zhvillim (LuxDev), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ka përfunduar në tetor 2026, pas tre vjetësh zbatimi.
Sekretari i Përgjithshëm, Naim Gashi, vlerësoi kontributin e projektit në modernizimin e arsimit dhe aftësimit profesional, forcimin e bashkëpunimit me sektorin privat dhe krijimin e mundësive më të mira për zhvillimin profesional dhe punësimin e të rinjve dhe grave. Ai theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë së rezultateve dhe vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe partnerëve zhvillimorë.
Ndër arritjet kryesore të projektit u veçuan certifikimi i 198 kompanive për arsimin dual, zhvillimi i profileve të reja profesionale në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit dhe energjinë e ripërtëritshme, trajnimi i 131 mësimdhënësve, si dhe përfshirja e 851 pjesëmarrësve në trajnime afatshkurtra, prej të cilëve 517 gra. Projekti gjithashtu ka kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës së shkollave profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit hulumtues ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Luksemburgut.
I ngarkuari me punë i Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, si dhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe partnerët e tjerë institucionalë, vlerësuan rezultatet e projektit dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit për zhvillimin e shkathtësive profesionale.






















