Fetoshi: Serbia në "presion" për një politikë më kërcënuese se ajo e Vuçiqit
BKT
Lajme

Fetoshi: Serbia në "presion" për një politikë më kërcënuese se ajo e Vuçiqit

A.B/RTKLive

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se, ende pa u formuar qeveria e re në Serbi, Lista Studentore po përballet me presione politike për të ndjekur një qasje edhe më konfrontuese në politikën e jashtme sesa ajo e presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq.

Në një analizë të publikuar më 23 nëntor, Fetoshi ka theksuar se Këshilli Nacional Serb (SNV), organizatë që ka mbështetur Listën Studentore në zgjedhje, ka kërkuar rikthimin e “Ministrisë për Kosovën dhe Metohinë”, me arsyetimin e nevojës për ngritjen e nivelit të mbrojtjes së integritetit territorial të Serbisë.

Sipas Fetoshit, kjo kërkesë vjen pas kallëzimit penal të këtij këshilli, së bashku me organizata të tjera, ndaj presidentit Vuçiq, kryetares së Kuvendit, Ana Bërnabiq, Ivica Daçiqit, Petar Petkoviqit dhe Milan Rakiqit, me pretendimin për dëmtimin e interesave të Serbisë në Kosovë.

Ai ka vënë në dukje se SNV-ja udhëhiqet nga Momir Stojanoviq, ish-shef i sigurisë ushtarake të Korpusit të Prishtinës gjatë viteve 1996-1999 dhe ish-drejtor i inteligjencës ushtarake të Serbisë.

Fetoshi vlerëson se kërkesa për rikthimin e kësaj ministrie nuk është thjesht kalkulim politik, por një presion për të legjitimuar një qasje edhe më kërcënuese ndaj Kosovës dhe pretendimeve territoriale të Serbisë.

Në analizën e tij, Fetoshi ka përmendur edhe deklaratat e liderit të politikës secesioniste në Republikën Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, Millorad Dodik, i cili ka kërcënuar me bllokimin e vendimmarrjes në institucionet e Bosnjë-Hercegovinës, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Dodik, përmes një postimi në platformën X, ka deklaruar se Bosnjë-Hercegovina ka vdekur, duke e cilësuar Gjykatën Kushtetuese si jolegjitime dhe duke paralajmëruar se durimi i tij ka marrë fund.

Sipas Fetoshit, kjo retorikë që sfidon Marrëveshjen e Dejtonit mund të shihet edhe si presion për të arsyetuar qasjen e pushtetit të ri në Serbi.

Ai ka vlerësuar se përputhshmëria e qëndrimeve të Dodikut me programin e Listës Studentore, veçanërisht në kontestimin e kompetencave të Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar dhe përdorimin e vetos si instrument bllokimi, sinjalizon vazhdimësinë gjeopolitike të politikës serbe.

Fetoshi ka paralajmëruar se një qasje e tillë mund të vazhdojë të sfidojë Perëndimin dhe të kërcënojë paqen dhe stabilitetin në Ballkan.


MË SHUME NGA Lajme