Jashari takon komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë
V.Th / RTKLive
Bashkëpunimi në arsimimin dhe edukimin ushtarak ishte në fokus të takimit ndërmjet komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe komandantit të Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Ferdinant Dimo.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit u diskutua për shkëmbimin e përvojave profesionale, bashkërendimin e aktiviteteve në fushën e trajnimit ushtarak dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Jashari vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e edukimit dhe trajnimit ushtarak për zhvillimin e njohurive dhe aftësive profesionale të personelit.
Në përfundim të takimit, të dy gjeneralët riafirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve ushtarake.






















