Sinner operohet në gju, rrezikon të mungojë në Australian Open
BKT
Sport

Sinner operohet në gju, rrezikon të mungojë në Australian Open

F.B/RTKLive

Tenisti italian, Jannik Sinner, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju në Finlandë, me qëllim të zgjidhjes së problemit fizik që e ka mbajtur jashtë fushave të tenisit që nga muaji korrik.

Operacioni është kryer nga ortopedi i njohur finlandez, profesori Lasse Lempainen, një prej specialistëve më të vlerësuar në botë për trajtimin e lëndimeve te sportistët.

Vendimi për ndërhyrjen kirurgjikale u mor pas konsultave dhe ekzaminimeve të fundit, përfshirë edhe vizitën që Sinner kishte realizuar javën e kaluar në Milano.

Problemi lidhet me një tendinë që shtrihet nga pjesa e jashtme e kofshës deri te gjuri. Sipas raportimeve, gjatë operacionit është aplikuar një metodë më pak invazive, me synimin për ta zgjidhur problemin në mënyrë përfundimtare.

Tashmë për tenistin italian nis periudha më e rëndësishme e rikuperimit, ajo e rehabilitimit. Koha e parashikuar për shërim është mbi tre muaj, ndërsa rikthimi i tij në fushë mund të kërkojë edhe katër deri në pesë muaj.

Kjo situatë e vë seriozisht në pikëpyetje pjesëmarrjen e Sinnerit në Australian Open, turneun e parë Grand Slam të vitit, që zhvillohet në janar.

Kujtojmë se pas triumfit në Wimbledon në muajin korrik, italiani nuk ka zhvilluar më asnjë ndeshje për shkak të problemeve me gjurin.

Për momentin, përparësi absolute për ekipin e tij mbetet rikuperimi i plotë, pa e rrezikuar shëndetin e tenistit përmes një rikthimi të parakohshëm. Data e kthimit në garat zyrtare do të përcaktohet në varësi të ecurisë së rehabilitimit.


MË SHUME NGA Sport