Goditet sërish kulla më e lartë në Riad
BKT
Rajoni dhe Bota

Goditet sërish kulla më e lartë në Riad

atsh

Kulla më e lartë e Riadit u godit përsëri sot, në zemër të lagjes financiare ikonike të kryeqytetit saudit, një objektiv i sulmeve të përsëritura nga Houthët pro iranianë të Jemenit kundër Arabisë Saudite.

Sipas tre dëshmitarëve, sulmi goditi rrokaqiellin që strehon fondin e pasur sovran saudit (PIF), i cili u dëmtua javën e kaluar në një sulm nga këta militantë.

Një banor deklaroi se një automjet i pajisur me një altoparlant paralajmëroi këmbësorët në lagjen e biznesit që të strehoheshin.

Makinat e policisë bllokaun hyrjen në zonë, e cila ka qenë praktikisht e shkretë në javët e fundit, pasi shumë punonjës të lagjes financiare tani po punojnë nga distanca për shkak të situatës së sigurisë.

“Ata mbyllën rrugët dhe i penguan njerëzit të lëviznin ose të hynin”, tha një kamerier në një restorant që u evakuua përkohësisht në kohën e sulmit.

Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit kundër Houthëve, konfirmoi një sulm pa specifikuar se cila ndërtesë u godit.

“Një nga kullat në qendrën financiare u shënjestrua në një sulm terrorist frikacak. Autoritetet përkatëse po inspektojnë aktualisht vendin”, tha zëdhënësi Turki al-Malki për X.

Houthët nuk kanë marrë ende përgjegjësinë për sulmin.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota