Voyager 1 humb sërish komunikimin me Tokën, NASA ka një problem teknik
N.M. /RTKlive
Sonda hapësinore Voyager 1 e NASA-s ka pësuar një tjetër problem në komunikimin me Tokën, duke ndërprerë transmetimin e të dhënave shkencore dhe teknike, në një kohë kur po i afrohet një momenti historik në eksplorimin e hapësirës.
Sipas CNN-it, sonda nuk po dërgon më të dhëna nga instrumentet e saj shkencore dhe inxhinierike, por vetëm një sinjal radiofonik të vazhdueshëm, të njohur si sinjal bartës (carrier signal), pa informacionin që zakonisht përmban.
NASA ka konfirmuar se problemi u zbulua më 14 nëntor, vetëm pak ditë para se Voyager 1 të arrinte një distancë prej një dite drite nga Toka. Kjo do të thotë se sinjalit radiofonik i duhen 24 orë për të udhëtuar nga sonda deri në Tokë, ndërsa po aq kohë nevojitet që një komandë nga Toka të arrijë te ajo.
Megjithatë, inxhinierët e NASA-s arritën ta konfirmojnë këtë arritje historike përmes sinjalit bartës dhe llogaritjeve të trajektores. Më 18 nëntor, Voyager 1 u bë objekti i parë i ndërtuar nga njeriu që arriti distancën prej një dite drite nga Toka, rreth 25.9 miliardë kilometra, raporton CNN.
NASA është duke analizuar shkakun e ndërprerjes së të dhënave, ndërsa përpjekjet për ta mbajtur sondën në funksion vazhdojnë. Voyager 1 është lansuar në vitin 1977 dhe që nga viti 2012 udhëton në hapësirën ndëryjore.






















