Haxhiu: Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon strategji juridike, jo nisma politike
BKT
Lajme

Haxhiu: Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon strategji juridike, jo nisma politike

Donika Sherifi|RTK

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë kërkon një strategji konkrete dhe veprime me efekt juridik, duke theksuar se nismat që prodhojnë vetëm efekt politik nuk janë të mjaftueshme për të ndikuar në proceset gjyqësore.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që përpjekjet institucionale për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në Hagë, të përqendrohen në hartimin e një strategjie me efekt juridik.

Ajo ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës tashmë ka themeluar grupin punues për hartimin e kësaj strategjie, i cili ka zhvilluar disa takime dhe pritet që së shpejti të dalë me një dokument konkret.

“Ne kemi thënë në vazhdimësi që fokusi do duhej të vendosej te strategjia”, ka deklaruar Haxhiu.

Duke folur për nismat ligjore që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale, Haxhiu ka rikujtuar se e kanë mbështetur një iniciativë të tillë, por ka shprehur dyshime për efektin e saj në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Sa i përket qëndrimit tonë për ligjin, ju e dini, ne e kemi mbështetur, ndonëse nuk kemi besuar që ajo është rruga që do të ketë ndonjë efekt juridik në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së”, është shprehur ajo.

Haxhiu ka njoftuar gjithashtu se ligji i kthyer nga presidentja vazhdon të jetë në procedurë në Kuvend. Sipas saj, zyra ligjore e Kuvendit ka dhënë një opinion që çështja të shqyrtohet në seancë plenare, ku deputetët do të vendosin lidhur me veton presidenciale.

“Ne kemi pranuar një opinion nga zyra ligjore e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili thekson që duhet të adresohet në seancën plenare dhe pastaj seanca plenare të vendosë mbi veton e presidentes”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkohë, sa i përket mundësisë së një nisme të re ligjore, ajo ka konfirmuar se kanë informacione për një propozim të tillë, por ende nuk kanë njohuri për përmbajtjen e tij.

Në këtë kontekst, Haxhiu ka theksuar se gjatë takimeve me përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës ka kërkuar që diskutimet të orientohen drejt veprimeve që mund të prodhojnë pasoja juridike, e jo vetëm deklarime politike.

“Nuk kemi nevojë për nisma të cilat kanë efekt politik, për shkak se për efekt politik janë rezolutat dhe deklaratat e Kuvendit”, ka theksuar ajo.

Kryetarja e Kuvendit ka bërë thirrje për bashkërendim të të gjitha palëve politike dhe institucionale, me qëllim të hartimit të një strategjie sa më efektive për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

“Prandaj po e konsideroj të rëndësishme që të theksoj që të gjithë bashkë duhet t’i japim përpjekjet që ta kemi një strategji sa më të mirë dhe që të mos i lëmë vetëm ata të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë”, ka përfunduar Haxhiu.


MË SHUME NGA Lajme