Kuvendi nuk miraton dy rezoluta për shëndetësinë dhe energjinë|Live
BKT
Lajme

Kuvendi nuk miraton dy rezoluta për shëndetësinë dhe energjinë|Live

RTKLive

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës ka vazhduar punimet me shqyrtimin e pikave të mbetura të rendit të ditës, por deputetët nuk kanë arritur të miratojnë dy rezoluta që lidhen me çështje të rëndësishme, atë të mungesës së barnave për pacientët me kancer dhe gjendjen në sektorin e energjisë elektrike.

Në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës nuk ka kaluar rezoluta e propozuar pas interpelancës së ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, e cila ishte thirrur pas vdekjes së një pacienteje me kancer, së cilës i kishte munguar njëri nga barnat e nevojshme për terapinë e saj.

Po ashtu, deputetët nuk kanë miratuar as rezolutën që buronte nga mocioni përmbajtjesor lidhur me gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike.

Për rezolutën e parë kanë votuar vetëm 27 deputetë, ndërkohë kundër kanë votuar 49. 

Ndërkohë për të dytën 27 deputetë kanë votuar për dhe 51 kanë qenë kundër. 

Kuvendi shqyrton pikat e mbetura nga seancat e kaluara

Kuvendi i Kosovës ka vazhduar punimet e seancave të papërfunduara të 12, 13 dhe 19 nëntorit, ku në mesin e çështjeve kryesore janë votimi i rezolutës për mungesën e barnave onkologjike dhe ajo për gjendjen në sektorin e energjisë elektrike.

Gjatë vazhdimit të punimeve, deputetët pritet të votojnë propozim-rezolutën pas interpelancës me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me rastin e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave për pacientët onkologjikë.

Një tjetër pikë me rëndësi në rendin e ditës është votimi i propozim-rezolutës për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Përveç këtyre dy çështjeve, Kuvendi do të trajtojë edhe disa pika të tjera që kanë mbetur pa u përfunduar nga seanca e 19 nëntorit.

Në mesin e tyre janë procedimi i nismave legjislative të qytetarëve, emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe zgjedhja e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet jo shumicë.

Po ashtu, në rend dite është edhe rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Deputetët pritet të shqyrtojnë edhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Pas përfundimit të pikave të mbetura, Kuvendi ka të planifikuar edhe mbajtjen e seancës së rregullt, e cila është caktuar për në orën 13:00.

 


MË SHUME NGA Lajme