Shiroka Pula merr pjesë në kremtimin e Ditës së Falënderimeve në Bondsteel
V.Th / RTKLive
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, së bashku me të ngarkuarën me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, mori pjesë në kremtimin e Ditës së Falënderimeve në kampin Bondsteel.
Sipas njoftimit të Presidencës, në fjalën e saj, presidentja theksoi se kjo ditë simbolizon mirënjohjen, solidaritetin dhe vlerat e përbashkëta.
Ajo ritheksoi mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ditët më të vështira të historisë së vendit, në rrugën drejt lirisë dhe në ndërtimin e shtetit.
Shiroka Pula shprehu falënderim të veçantë për gratë dhe burrat e ushtrisë amerikane, të cilët prej afro tri dekadash kontribuojnë në sigurinë dhe paqen e Kosovës, duke shërbyer larg familjeve të tyre.
Presidentja theksoi se Kosova i konsideron pjesëtarët e ushtrisë amerikane pjesë të familjes dhe se përkushtimi e sakrifica e tyre kanë krijuar lidhje të veçanta me vendin dhe qytetarët.
Në emër të qytetarëve të Kosovës, ajo i falënderoi për shërbimin, përkushtimin dhe sakrificën, duke ritheksuar se miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një vend të përhershëm në zemrat e qytetarëve të Kosovës.
Ajo theksoi se Kosova do të vazhdojë ta ruajë dhe ta forcojë këtë miqësi.






















