Arteta: Është ende herët për ta cilësuar ndeshjen me City vendimtare për titullin
BKT
Sport

Arteta: Është ende herët për ta cilësuar ndeshjen me City vendimtare për titullin

UK/RTKLive.com

Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, ka thënë se përballja e së dielës kundër Manchester City nuk do të jetë vendimtare për garën për titullin në Premier League, pasi sezoni është ende në fazën e hershme.

Arsenal kryeson tabelën dhe ka gjashtë pikë më shumë se Manchester City, që renditet në vendin e tretë. E City ka kaluar në një periudhë më të vështirë, pasi ka marrë vetëm një pikë në katër ndeshjet e fundit të kampionatit, pas një serie prej shtatë fitoreve radhazi.

Arteta e ka vlerësuar rëndësinë e kësaj përballjeje, sidomos për faktin se Arsenal luan në shtëpi, në stadiumin “Emirates”, por ka theksuar se është ende herët për të nxjerrë përfundime për garën për titull.

“Kur luajmë në shtëpi kundër skuadrave të mëdha, këto ndeshje bëhen shumë të rëndësishme në garën për titull. E dimë sa rëndësi kanë dhe çfarë ndikimi mund të kenë”, ka thënë Arteta të premten.

“Por, natyrisht, jemi në nëntor dhe e dimë se kemi ende shumë ndeshje për të luajtur. Kjo vlen për të gjitha skuadrat”, ka shtuar trajneri spanjoll.

Ndërkohë, Arteta nuk ka dhënë një përgjigje të qartë për gjendjen fizike të portierit David Raya, i cili pësoi një lëndim në krahun e majtë në barazimin 2:2 ndaj Newcastle United.

Për këtë arsye, Raya ka munguar në ndeshjen e së martës në Ligën e Kampionëve kundër Borussia Dortmund, që ka përfunduar 1:1.

I pyetur nëse portieri do të jetë i gatshëm për përballjen me Manchester City, Arteta ka thënë se ende nuk e di.

“Nuk e di. Kemi edhe disa orë deri në ndeshje dhe po përpiqemi t'i rikthejmë të gjithë lojtarët”, ka deklaruar ai.

Në mungesë të Raya, portën e Arsenal e ka mbrojtur Kepa Arrizabalaga, i cili është aktivizuar në ndeshjen ndaj Newcastle Unitedit dhe ka qenë titullar edhe kundër Borussia Dortmund.


MË SHUME NGA Sport