Skenës politike në Maqedoninë e Veriut i shtohet një subjekt i ri politik, `Lëvizja Një`
Besnik Iseni /RTK Shkup
Skenës politike në Maqedoninë e Veriut i është shtuar një subjekt i ri politik, me emrin “Lëvizja Një”, i cili do të drejtohet nga Besim Hoda, ish-kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Promovimi i subjektit të ri u mbajt më 27 nëntor në Teatrin Shqiptar në Shkup.
Gjatë fjalimit në ceremoninë e promovimit, Hoda tha se themelimi i kësaj lëvizjeje është rezultat i pakënaqësisë së akumuluar ndaj, siç u shpreh, padrejtësive të vazhdueshme ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ai theksoi se “Lëvizja Një” synon të mbrojë vlerat shoqërore, të angazhohet për sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, me theks të veçantë te të drejtat e shqiptarëve.
“Lëvizja Një u themelua si ide për të mbrojtur vlerat shoqërore, për një shtet të së drejtës dhe për respektimin e të drejtave të secilit qytetar. Për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, të cilat ndër vite nuk janë respektuar. UÇK-ja është kapital dhe pasardhësit që erdhën në politikë duhej t’i mbronin të drejtat e shqiptarëve, por zgjodhën heshtjen kur erdhën në pushtet”, deklaroi Hoda.
Ai shtoi se lëvizja e re vjen si rezultat i pakënaqësisë ndaj zhvillimeve politike dhe mungesës së përfaqësimit të duhur, duke theksuar se qytetarët meritojnë të jetojnë me dinjitet.
Me promovimin e “Lëvizjes Një”, skena politike në Maqedoninë e Veriut bëhet me një subjekt të ri, i cili synon të ofrojë një alternativë politike në vend.






















