Siljanovska-Davkova: Fqinjësia e mirë, parakusht për prosperitetin e rajonit
G,K/RTKlive
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, pas takimit me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në margjinat e takimit të liderëve të Procesit të Bërdo-Brionit në Ohër, ka vlerësuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve.
Në një postim në rrjetet sociale, Siljanovska-Davkova ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme.
“Marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës janë miqësore dhe karakterizohen nga komunikimi i hapur ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve shtetërore, si dhe nga bashkëpunimi intensiv ekonomik, tregtar dhe kulturor”, ka shkruar ajo.
Siljanovska-Davkova ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë përshëndetur përfaqësimin e barabartë të grave dhe burrave, ndërsa si profesoresha kanë theksuar nevojën për bashkëpunim më të gjerë dhe më intensiv në arsim dhe shkencë.
“Të dyja besojmë se fqinjësia e mirë është një parakusht i rëndësishëm për prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Procesin e Bërdo-Brionit e shohim si një instrument të domosdoshëm për ndërtimin e besimit të ndërsjellë dhe sigurimin e një perspektive evropiane”, ka shkruar Siljanovska-Davkova.






















