Fetoshi: Profesionalizmi nuk mund ta mbulojë të kaluarën e ushtrisë serbe
BKT
Lajme

Fetoshi: Profesionalizmi nuk mund ta mbulojë të kaluarën e ushtrisë serbe

A.B/RTKLive

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar lidhur me vizitën e ushtarakëve serbë në Komandën Qendrore të KFOR-it në Prishtinë, duke theksuar se bashkëpunimi i NATO-s me Serbinë duhet të vlerësohet në bazë të efekteve në sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal. Ai ka vlerësuar se partneriteti i NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës mbetet jetik për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajon. Fetoshi ka theksuar se “profesionalizmi” si referencë për bashkëpunimin dhe koordinimin mes tyre nuk mund ta mbulojë trashëgiminë dhe vazhdimin e qasjes kërcënuese të ushtrisë serbe.

"Reagimet dhe shqetësimet lidhur me vizitën e ushtarakëve serbë në Komandën Qendrore të KFOR-it (Camp Film City) janë të kuptueshme dhe legjitime, për shkak të mosdistancimit nga e kaluara kriminale në Kosovë, ngarkesës politike me kontestimin e sovranitetit dhe sidomos ashpërsimit gjithnjë e më shqetësues të tensioneve gjeopolitike. Pikërisht ky është konteksti që tregon se roli i NATO-s dhe forcimi i partneritetit me FSK-në, mbeten jetikë për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajon. Komunikimi i KFOR-it me ushtrinë serbe në kuadër të mekanizmave të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të Kumanovës (1999), ka kuptim vetëm si qëllim për neutralizimin e kërcënimeve ndaj Kosovës", ka shkruar Fetoshi në facebook".

Sipas tij, në këtë funksion, përtej karakterit teknik dhe operacional të bashkëpunimit, KFOR-i duhet ta ketë parasysh edhe dimensionin simbolik të vizitave të ushtrisë serbe në Prishtinë, sidomos në raport me qëndrimin e vazhdueshëm kundër Republikës së Kosovës dhe legjitimitetit të FSK-së, si partnere të NATO-s.

"“Profesionalizmi” si referencë për bashkëpunimin dhe koordinimin mes tyre, nuk mund ta mbulojë trashëgiminë dhe vazhdimin e qasjes kërcënuese nga ushtria serbe. Si një mekanizëm dhe platformë e strategjisë hibride, ajo vazhdon heroizimin e formacineve të saj gjatë luftës në Kosovë, nderon kriminelë të gjenocidit, si në varrimin e Ratko Mlladiqit në Beograd dhe i mban në skenat e ligjërimit “patriotik” ish-komandantët e dënuar për krime kundër njerëzimit, si Vlladimir Llazareviqi në premierën e dokumentarit “Korpusi i Prishtinës - Atdheu na komandon”, vlerësoi ai.

Duker shtuar se një ushtri që ka kryer masakra, përdhunime e tortura ndaj civilëve, dëbime masive të popullsisë dhe fshehje të krimeve në varreza masive në Serbi, nuk mund të pretendojë “bashkëpunimin” me NATO-n pa hequr dorë nga trashëgimia e saj kriminale (ICTY, Aktgjykimi i Apelit në çështjen Shainoviq et al. 23.01.2014).

"Prandaj, është tejet e rëndësishme që mekanizmat e koordinimit ushtarak të mos i japin hapësirë instrumentalizimit të tyre nga Serbia, qoftë si shprehje e kontestimit të shtetësisë së Kosovës, qoftë si mjet për delegjitimimin e institucioneve të saj. Transparenca dhe koordinimi me institucionet e Kosovës janë imperativ për një komunikim strategjik që e ruan besimin dhe forcon partneritetin e ndërsjellë. Bashkëpunimi i NATO-s me Serbinë duhet të matet, jo me intensitetin e vizitave apo kontakteve, por me efektet reale në reduktimin e kërcënimeve, respektimin e sigurisë së Kosovës dhe forcimin e stabilitetit rajonal", tha ai.


MË SHUME NGA Lajme