Kapetanoviq: Ballkani Perëndimor duhet të përshpejtojë integrimin e tregut rajonal
N.M. /RTKlive
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq, u ka bërë thirrje gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që të përshpejtojnë zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe të mos lejojnë që dallimet politike të pengojnë integrimin ekonomik.
Në Samitin e Liderëve për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, të mbajtur në Tiranë, Kapetanoviq theksoi se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm për rritjen e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Në një botë që është bërë më e vështirë për ekonomitë e vogla, ne të gjashtë ende mund të zgjedhim të mos mbetemi të vegjël. Pikërisht për këtë shërben ky treg dhe RCC-ja do ta çojë këtë punë deri në fund së bashku me ju”, deklaroi ai.
Kapetanović vlerësoi arritjet e bashkëpunimit rajonal, duke përmendur zbatimin e roaming-ut me tarifa vendore në të gjashtë ekonomitë e rajonit që nga viti 2021, si dhe anëtarësimin e katër prej tyre në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), që ka mundësuar uljen e kostove të pagesave ndërkombëtare.
Megjithatë, ai tha se pengesat administrative, kufizimet në ofrimin e shërbimeve dhe dallimet rregullatore vazhdojnë të pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit ekonomik të rajonit.
“Kemi përparuar më shpejt atje ku përfitimet ishin të dukshme, puna mbeti në nivel teknik dhe rezultati i pritshëm ishte i qartë. Kemi ngecur atje ku çështjet teknike u përfshinë në mosmarrëveshje më të gjera”, tha Kapetanoviq, duke kërkuar përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve dhe përcaktimin e afateve konkrete.
Ai iu referua edhe gjetjeve të Barometrit të Ballkanit të RCC-së, sipas të cilit qytetarët e vlerësojnë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin rajonal, por presin rezultate më konkrete, veçanërisht përballë kostos së jetesës dhe pasigurisë ekonomike.
Ndërkaq, liderët e Ballkanit Perëndimor mirëpritën progresin në avancimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe vlerësuan rolin koordinues të RCC-së në integrimin ekonomik dhe zbatimin e Planit të Rritjes të BE-së.
Kapetanović theksoi se, me hyrjen e Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje në vitin e fundit dhe me zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025–2028, nevojitet angazhim më i madh politik dhe koordinim ndërmjet vendeve.
Ai bëri të ditur se RCC-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me qeveritë e gjashtë vendeve të rajonit, Komisionin Evropian dhe partnerët e tjerë për të monitoruar progresin dhe për të mbështetur zbatimin e angazhimeve.
Samitit në Tiranë i paraprinë edhe takime të nivelit të lartë për turizmin, investimet dhe integrimin evropian. Në kuadër të tyre, RCC-ja prezantoi një portofol rajonal me 32 mundësi investimi dhe lansoi Instrumentin Rajonal të Turizmit për gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.






















