Dështon seanca për “Rezervat shtetërore”, mungojnë tre të akuzuarit
Sh.Ç/RTKlive
Seanca gjyqësore në rastin e rezervave shtetërore ka dështuar të mbahet sot, pasi tre nga katër të akuzuarit munguan në gjykatore. Në mesin e tyre ishte edhe ish-ministrja Rozeta Hajdari, së cilës ftesa për seancë i ishte dërguar në adresën e Kuvendit të Kosovës, ndonëse ajo nuk është më deputete në legjislaturën aktuale.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”, ku e akuzuar është edhe ish-ministrja Rozeta Hajdari, nuk është mbajtur për shkak të mungesës së disa të akuzuarve.
Në seancë ishte i pranishëm vetëm Hafiz Gara, ndërsa Hajdari, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi nuk morën pjesë.
Gjyqtari Avni Syla bëri të ditur se ftesa për Hajdarin ishte dërguar në adresën që ajo kishte deklaruar më herët, në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, Gjykata është njoftuar se ajo nuk është më në vendin e punës, pasi nuk është deputete në legjislaturën aktuale.
Ndërkaq, për mungesën e tij, Irfan Lipovica kishte kërkuar shtyrjen e seancës, duke njoftuar se ndodhej në udhëtim jashtë vendit. I akuzuari tjetër, Ridvan Muharremi, nuk ishte i pranishëm për shkak të një operimi dhe pamundësisë për të marrë pjesë në seancë.
Në këtë rast, përveç Hajdarit, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen edhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara. Ndërsa afaristi Ridvan Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.
Aktakuza ndaj tyre u konfirmua në mars të vitit 2026 nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Hajdari, Lipovica dhe Gara dyshohet se gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2022, në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare për t'u mundësuar përfitime pasurore personave të tjerë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej rreth tre milionë eurosh.
Rasti lidhet me furnizimin e rezervave shtetërore me vaj, miell dhe sheqer, për të cilat pretendohet se nuk janë dorëzuar sasitë e paguara. Prokuroria pretendon gjithashtu se furnizimi është realizuar përmes procedurës së mbyllur, ndonëse ligji parasheh procedurë të hapur.
Rasti u bë publik pas publikimit të audioincizimeve, ndërsa në vitin 2023 ishin kryer bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Hajdari kishte deklaruar më herët se blerjet për rezervat shtetërore ishin realizuar në përputhje me ligjin, duke theksuar se detajet nuk mund t'i bënte publike për shkak të klasifikimit si sekret shtetëror.






















