AIP organizoi trajnim për mbrojtjen e të dhënave personale në sektorin e sigurisë
A.B/RTKLive
Me qëllim të avancimit të njohurive profesionale dhe forcimit të kapaciteteve institucionale në zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) sot organizoi trajnimin me temën “Mbrojtja e të dhënave personale në sektorin e sigurisë”, për zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës.
Në fokus të trajnimit ishin detyrimet ligjore dhe specifikat e përpunimit të të dhënave personale në sektorin e sigurisë, përgjegjësitë e kontrolluesve dhe përpunuesve, të drejtat e subjekteve të të dhënave, si dhe masat teknike dhe organizative për garantimin e sigurisë së tyre.
Përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave, u trajtuan edhe sfidat praktike që ndërlidhen me përpunimin e të dhënave biometrike, vëzhgimin me kamera dhe menaxhimin e shkeljeve të të dhënave personale.
"Duke vlerësuar rolin e Policisë së Kosovës në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe të Inspektoratit Policor të Kosovës në mbikëqyrjen e ligjshmërisë së veprimtarisë policore, AIP mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me këto institucione, me qëllim të garantimit të respektimit të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre ligjore", thuhet në komunikatën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).






















