Vrasja e Hadrit u porosit nga shërbimet jugosllave, Drashkoviqi shpallet i pafajshëm
BKT
Lajme

Vrasja e Hadrit u porosit nga shërbimet jugosllave, Drashkoviqi shpallet i pafajshëm

G.K/RTKlive

Gjykata e Krimeve të Rënda e Brabantit Valon në Belgjikë ka shpallur të pafajshëm Andrija Drashkoviqin, i cili akuzohej për vrasjen e aktivistit shqiptar nga Kosova, Enver Hadri, në Bruksel në vitin 1990. Gjykata ka konstatuar se vrasja ishte porositur nga shërbimet sekrete jugosllave.

Sipas portalit belg “BruxellesToday”, pas më shumë se dhjetë orësh shqyrtimi, juria vlerësoi se provat e dosjes nuk ishin të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e 61-vjeçarit.

Enver Hadri, aktivist shqiptar dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, ishte një figurë e opozitës ndaj regjimit jugosllav. I vendosur në Bruksel që nga viti 1972, ai angazhohej për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës.

Siç shkruan mediumi belg, veprimtaria dhe angazhimi i tij e bënë atë objektiv të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë, të cilat dyshohet se organizuan vrasjen e tij duke angazhuar një grup kriminal nga Beogradi.

Hadri u vra më 25 shkurt 1990 në Saint-Gilles, në Bruksel. Ai kishte në veturën e tij dokumente për shqiptarët e vrarë gjatë demonstratave paqësore në Kosovë, të cilat duhej t’ia dorëzonte të nesërmen Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Parlamentit Evropian.

Sipas “BruxellesToday”, akuza ndaj Drashkoviqit mbështetej kryesisht në dëshminë e Miroslav Biziqit, një polic i ngarkuar me përzgjedhjen e kriminelëve për operacione jashtë vendit për llogari të shërbimeve sekrete.

Biziqi kishte identifikuar Drashkoviqin si një nga pjesëmarrësit e dyshuar, por deklarata e tij nuk ishte përsëritur asnjëherë para një gjyqtari hetues apo në prani të një avokati. Ai ishte vrarë në vitin 1996.

Asnjë dëshmitar tjetër nuk e konfirmoi përfshirjen e Drashkoviqit në vrasje, ndërsa deklaratat e Miroslav Spasiqit u vlerësuan si të pabesueshme nga juria.

Në mungesë të provave të mjaftueshme për të vërtetuar përfshirjen e tij në vrasjen e Enver Hadrit përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, Drashkoviqi u shpall i pafajshëm, shkruan “BruxellesToday”.

 


MË SHUME NGA Lajme