Mungon kuorumi, nuk votohen marrëveshjet me Francën
V.Th / RTKLive
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur t’i hedhë në votim marrëveshjet ndërkombëtare me Francën, për shkak të mungesës së kuorumit.
Në seancën e sotme janë shqyrtuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për ekstradim dhe ai për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Kosovës dhe Francës.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë prezantimit të marrëveshjes për ekstradim, tha se ajo krijon një kornizë të qartë ligjore për dorëzimin e personave që kërkohen për ndjekje penale apo vuajtje të dënimit.
Ndërkaq, marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike synon të lehtësojë bashkëpunimin mes autoriteteve të të dyja vendeve në shkëmbimin e provave, marrjen e dëshmive dhe hetimin e veprave penale.
Të dyja marrëveshjet u mbështetën nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare të LVV-së, PDK-së dhe AAK-së, ndërsa Komisioni për Politikë të Jashtme dhe Diasporë rekomandoi miratimin e tyre.
Megjithatë, në tentimin për verifikimin e prezencës, në sallë ishin vetëm 73 deputetë, çka pamundësoi votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.






















