Qeveria ndan mjete shtesë për paga dhe shtesa
V.Th / RTKLive
Në mbledhjen elektronike të mbajtur mbrëmë, Qeveria miratoi edhe ndryshimet në Programin e Projektligjeve për vitet 2026–2028.
Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve financiare në kategorinë e shpenzimeve për paga dhe shtesa për muajin nëntor 2026.
Vendimi është miratuar në mbledhjen e 14-të të Qeverisë, e cila është zhvilluar mbrëmë në formë elektronike.
Sipas njoftimit të Qeverisë, në këtë mbledhje është miratuar edhe ndryshimi dhe plotësimi i Programit të Projektligjeve për vitet 2026–2028.
Po ashtu, janë emëruar komisionet e pranimit për tri pozita të kategorisë së lartë drejtuese: drejtor ekzekutiv në Inspektoratin Qendror të Punës, Komisioner për Gjuhët në Zyrën e Kryeministrit dhe sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Në mesin e vendimeve të miratuara është edhe korrigjimi i vendimit të Qeverisë nr. 10/12, të datës 17 nëntor 2026.






















