Jagxhiu: Transformimi digjital dhe siguria kibernetike duhet të ecin paralelisht
G.K/RTKlive
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka marrë pjesë në konferencën “Sfidat e sigurisë së informacionit në realitetin e TIK-ut”, në Tiranë, ku është diskutuar për mbrojtjen e informacionit, inteligjencën artificiale dhe kërcënimet kibernetike e hibride.
Jagxhiu ka theksuar se me digjitalizimin e shërbimeve dhe proceseve qeveritare rritet edhe nevoja për mbrojtjen e sistemeve, të dhënave qeveritare dhe personale, si dhe të infrastrukturës kritike.
“Siguria duhet të jetë pjesë përbërëse e çdo iniciative të transformimit digjital, që nga faza e projektimit”, ka shkruar Jagxhiu.
Ministri ka bërë të ditur se Kosova po punon në përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe themelimin e Qendrës Qeveritare të Operacioneve të Sigurisë (SOC).
Ai ka folur edhe për mundësitë dhe rreziqet që paraqet inteligjenca artificiale, duke theksuar se përdorimi i pakujdesshëm i kësaj teknologjie mund të ketë pasoja serioze për sigurinë kombëtare.
“Kërcënimet kibernetike dhe hibride nuk njohin kufij shtetërorë. Prandaj, bashkëpunimi sistematik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, shkëmbimi i informacionit, ekspertizës dhe praktikave të mira, si dhe aktivitetet e përbashkëta, janë thelbësore për forcimin e sigurisë së të dyja vendeve tona”, ka theksuar Jagxhiu.






















