QKRMT me aksion simbolik në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizimit”
BKT
Lajme

QKRMT me aksion simbolik në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizimit”

Donika Sherifi/RTK

27 vjet pas luftës, për shumë të mbijetuar të dhunës seksuale, beteja për drejtësi dhe pranimin shoqëror ende vazhdon. Për ta rikujtuar se ata nuk janë vetëm, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, organizoi ecje simbolike në Prishtinë, me mesazhe solidariteti dhe mbështetjeje.

Me hapa simbolikë dhe mesazhe solidariteti, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës shënoi fillimin e aktiviteteve në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Aksioni nisi nga sheshi “Ibrahim Rugova” dhe përfundoi te memoriali “Heroinat” në Prishtinë.

“Mendja jonë sot është te ato vajza dhe gra që sot nuk janë me ne. Tek ato të mbijetuara, që edhe pas kaq shumë vitesh, 27 vjet me radhë pas luftës, ende nuk kanë gjetur siguri dhe mbështetje për të folur dhe për të treguar se çfarë ju ka ndodhur gjatë luftës”, tha Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e QKRMT-së.

“I kemi lavdëruar për forcën dhe durimin e tyre, ndërkohë që kemi toleruar shumë nga padrejtësitë që u janë bërë. Për vite me radhë pas luftës, paragjykimet e shoqërisë sonë ua vështirësuan edhe më tej jetën të mbijetuarave të dhunës seksuale. Në vend që t’ua lehtësonim barrën, i detyruam shumë prej tyre të heshtnin edhe para njerëzve më të afërt. Na u deshën vite për t’u njohur ligjërisht statusin, ndërkaq drejtësia ende mungon për shumë prej tyre”, tha Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit.

“Unë ju bëj thirrje secilës viktimë me i paraqit rastet, me kërkua drejtësi edhe me fol, dëshira më e madhe është që secila viktimë 20 mijë të dalin të flasin publikisht. Edhe ka shumë prej tyre që dëshirojnë, e kanë mundësinë time që të flasin publikisht, po nuk i lë rrethi, nuk i lë bashkëshorti, nuk i lë vëllai, nuk i lë familja”, tha Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale.

Aktiviteti u përmbyll me vendosjen e mesazheve solidarizuese, përmes të cilave pjesëmarrësit shprehën mbështetjen për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.


MË SHUME NGA Lajme