Ndalohen pesë persona të dyshuar për ‘’vjedhje të rëndë’’
A.B/RTKLive
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton se pas një pune intensive hetimore disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar pesë persona të dyshuar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘’Vjedhja e Rëndë’’’.
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të planit Operativ ‘’Vjedhjet e Rënda’’, me qëllim të identifikimit të personave të dyshuar dhe zbardhjes së rrethanave të këtyre rasteve.
Gjatë zhvillimit të procesit hetimor, janë ndërmarrë një sërë veprimesh, përfshirë analizimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë, vëzhgimin dhe përcjelljen e personave të dyshuar, analizimin e të dhënave të komunikimeve telefonike dhe hartografisë së lëvizjeve, si dhe aplikimin e masave të veçanta hetimore, në përputhje me autorizimet ligjore.
Si rezultat i këtyre veprimeve hetimore, më datën 26.11.2026, janë realizuar kontrolle të njëkohshme në pesë lokacione të ndryshme, në territorin e Komunës së Prishtinës dhe Drenasit.
Po ashtu, gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme materiale, të cilat dyshohet se mund të ndërlidhen me veprën penale nën hetim. Ndër të tjera, janë sekuestruar telefona mobilë, pajisje elektronike, DVR, radiolidhje, pajisje GPS, veshje, mbathje, mjete të ndryshme dhe sende të tjera, të cilat do të nënshtrohen ekzamimnimeve dhe analizave përkatëse kriminalistike, me qëllim të sigurimit të provave shtesë dhe sqarimit të plotë të rrethanave të kësaj çështjeje.
Prokurori i Shtetit pranë gjykatës kompetente ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.






















