Presidentja në Ditën e Forcës: FSK-ja garant i lirisë dhe sovranitetit të Kosovës
BKT
Lajme

Presidentja në Ditën e Forcës: FSK-ja garant i lirisë dhe sovranitetit të Kosovës

Sh.Çoçaj/RTKlive

Ditës së Forcës, Presidentja e Republikës së Kosovës dhe Komandantja Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka nderuar pjesëtarët e ushtrisë, duke vlerësuar kontributin e tyre në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

Në mesazhin e saj për këtë ditë, Presidentja ka theksuar se Ushtria e Kosovës përfaqëson aspiratën e brezave për një shtet të lirë, të pavarur dhe të sigurt.

“Ushtria jonë mishëron aspiratën e brezave për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të sigurt. E ndërtuar mbi sakrificën e popullit tonë dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo dëshmon vendosmërinë tonë për ta mbrojtur lirinë dhe shtetësinë e fituar me sakrificë”, thuhet në mesazhin e Presidentes.

Ajo ka rikonfirmuar përkushtimin për fuqizimin e kapaciteteve të FSK-së, avancimin e aftësive mbrojtëse dhe mbështetjen e vazhdueshme për pjesëtarët e saj.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë strategjikë, me synimin për ndërtimin e një force moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s.

“Krah për krah me SHBA-në dhe aleatët e tjerë strategjikë, do të vazhdojmë ta ndërtojmë një forcë moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s, të gatshme për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Republikës dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, ka deklaruar ajo.

Në këtë ditë, Presidentja ka përkujtuar me nderim të veçantë Komandantin Legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit, duke vlerësuar sakrificën e tyre si burim të përhershëm frymëzimi dhe përgjegjësie.

Ajo ka përcjellë urimet për të gjithë pjesëtarët e FSK-së dhe qytetarët me rastin e Ditës së Forcës, duke theksuar se: “Liria që trashëguam është amanet. Mbrojtja e saj është detyrë. Shërbimi ndaj atdheut është misioni ynë i përbashkët.”


MË SHUME NGA Lajme