Mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari
Sh.Ç/RTKlive
Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, në orën 09:30, është paraparë të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Në këtë rast, përveç Hajdarit, të akuzuar janë edhe ish-zyrtarët e ministrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, si dhe biznesmeni Ridvan Muharremi.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur nga Prokuroria Speciale më 11 nëntor 2025 dhe lidhet me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të furnizimit të rezervave shtetërore në vitin 2022.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, parregullsitë e dyshuara kanë të bëjnë me kontratat për blerjen e grurit nga një kompani turke, si dhe të vajit dhe sheqerit nga një kompani polake. Dëmi i pretenduar ndaj buxhetit të Kosovës arrin në 2 milionë e 912 mijë euro.
Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, ndërsa Hafiz Gara përballet edhe me një akuzë të veçantë për zbulim të fshehtësisë zyrtare. Ndërkaq, Ridvan Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Procesi gjyqësor ka kaluar nëpër disa zhvillime procedurale. Më 13 mars 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hedhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave. Më pas, më 13 nëntor, Gjykata e Apelit refuzoi ankesat e mbrojtësve, duke lënë në fuqi vendimin që çështja të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor.
Ish-ministrja Rozeta Hajdari i ka mohuar akuzat ndaj saj, ndërsa përgjegjësia penale e të gjithë të pandehurve do të përcaktohet nga gjykata.






















