Kos: Vendet e Ballkanit Perëndimor do të përparojnë drejt BE-së sipas meritave
N.M. /RTKlive
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Shqipëria mund t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2027, ndërsa ka theksuar se përparimi i vendeve të rajonit do të varet gjithnjë e më shumë nga rezultatet individuale në zbatimin e reformave.
Në konferencën për media në Tiranë, pas takimit për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Kos tha se procesi i zgjerimit është duke ecur përpara, por se vendet që nuk i përmbushin zotimet për reforma nuk mund të presin përparim në procesin e integrimit.
Ajo bëri të ditur se Shqipëria ka zbatuar 80 për qind të reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes dhe pritet të përfitojë 185.6 milionë euro nga kësti i ardhshëm i pagesave.
Ndërkohë, Mali i Zi ka përmbushur 94 për qind të reformave dhe pritet të përfitojë 81 milionë euro, kurse Maqedonia e Veriut ka realizuar 56 për qind të tyre dhe do të përfitojë 70.9 milionë euro.
Kos njoftoi gjithashtu se Komisioni Evropian do të rrisë financimin për këto tri vende, në bazë të rezultateve të arritura. Sipas saj, Shqipëria dhe Mali i Zi do të përfitojnë 15 për qind më shumë financim, ndërsa Maqedonia e Veriut 10 për qind më shumë.
“Plani i Rritjes u hartua që në fillim për të shpërblyer rezultatet konkrete. Vendet që përmbushin angazhimet e tyre për reforma përfitojnë financim”, deklaroi Kos.
Ajo theksoi se ky parim do të mbetet i pandryshuar edhe në diskutimet për buxhetin e ardhshëm të Bashkimit Evropian, duke nënvizuar se financimi do të kushtëzohet nga rezultatet në zbatimin e reformave.
Sipas komisioneres, qasja e BE-së ndaj rajonit do të mbështetet gjithnjë e më shumë në performancën individuale të secilit vend, ndërsa logjika e trajtimit të Ballkanit Perëndimor si një grup i vetëm po zbehet.
“Zgjedhjet politike të secilit vend do të përcaktojnë ritmin me të cilin ai vend do të ecë drejt BE-së”, tha ajo, duke theksuar se kjo qasje vlen si për negociatat e anëtarësimit, ashtu edhe për përfitimin e fondeve evropiane dhe integrimin gradual në tregun e përbashkët.
Duke folur për perspektivën e vendeve të tjera të rajonit, Kos përmendi zhvillimet në Serbi, stabilitetin politik në Kosovë dhe mundësitë për përparim në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Ajo bëri të ditur se Komisioni Evropian po shqyrton mundësi të reja për integrimin gradual të vendeve kandidate në tregun dhe institucionet evropiane, edhe para anëtarësimit të tyre të plotë.
Kjo, sipas saj, do të përfshinte hapjen e më shumë sektorëve të tregut të përbashkët, veçanërisht në energji, transport dhe teknologji digjitale.
Megjithatë, Kos theksoi se integrimi gradual nuk është zëvendësim për anëtarësimin në BE dhe se përparimi konkret në negociata mbetet kusht për përfitimin nga këto mundësi.
Komisionerja foli edhe për rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor në korridoret e reja tregtare që lidhin Bashkimin Evropian me Turqinë dhe Azinë Qendrore. Sipas saj, rritja e qarkullimit tregtar në këto rrugë alternative mund ta bëjë rajonin më tërheqës për investitorët e huaj.
Në përfundim, ajo vuri theksin te nevoja për thellimin e bashkëpunimit rajonal, funksionalizimin e tregut të përbashkët dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, duke përmendur edhe turizmin si një nga fushat ku ende ekzistojnë pengesa mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.






















