PDK: Prekazi vendi ku i ka themelet liria e Kosovës
V.Th / RTKLive
Ushtruesja e detyrës së kryetarit të PDK-së, Vlora Çitaku, së bashku me anëtarë të Kryesisë, deputetë, kryetarë komunash dhe zyrtarë të tjerë të partisë, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, në shënim të 28 Nëntorit.
Përmes një postimi në Facebook, PDK-ja ka theksuar se nga Prekazi, si vend ku i ka themelet liria e Kosovës, riafirmon angazhimin për ruajtjen e së vërtetës historike.
Në mesazhin e saj, kjo parti ka vlerësuar se 28 Nëntori shënon tri momente të rëndësishme të historisë kombëtare: Ditën e Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.
PDK-ja ka përcjellë urimet për 28 Nëntorin për të gjithë shqiptarët, me një përshëndetje të veçantë për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.






















