Limaj nderon me mirënjohje bashkëluftëtarët e tij të Batalionit `Atlantiku`
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka pritur sonte në takim në qytetin e Prizrenit anëtarët e Batalionit shqiptaro-amerikan “Atlantiku” të UÇK-së.
Me këtë rast, Limaj tha se është emocion i veçantë për të takimi me bashkëluftëtaret e tij në 20-vjetorin e operacionit “Shigjeta”.
“Besoj që asnjëri nga ne para 20 viteve nuk e ka menduar që do të takohemi kështu 20 vite pas. Ju përshëndes secilin veç e veç prej drejtuesve të Batalionit dhe ju uroj qëndrim të këndshëm në vendlindje”, ka thënë Limaj.
Limaj i cili në luftë mbante nofkën Çeliku, tha se është kënaqësi që shqiptarët tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përcjelle traditën shekullore, duke i dhënë zë kombit e duke punuar për kombin.
“Ne kemi bërë një detyre që kemi pas obligim ndaj shtetit, por krejt e dinë që pa një kontribut të diasporës kurrë nuk kishim ardhur këtu ku jemi sot. Ndihem krenar që kam qenë pjesë e juaja”, ka shtuar Limaj.























