Soreca: Shqipëria arritje fantastike, i ka plotësuar kushtet e KE
BKT
Shqipëri

Soreca: Shqipëria arritje fantastike, i ka plotësuar kushtet e KE

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi se Shqipëria i ka plotësuar kushtet e KE-së lidhur me udhëtimin e lirë pa viza.

I pyetur nga mediet në lidhje me votimin në parlamentin holandez për rikthimin e vizave me Shqipërinë, Soreca u shpreh se do të shihet nëse qeveria holandeze do ta paraqesë këtë kërkesë në Komisionin Evropian.

“Kjo do të thotë që prej atij raporti është shumë e qartë për qeverinë shqiptare se çfarë masash duhen marrë, natyrisht kjo në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE, në mënyrë të veçantë me hapjen e negociatave. Ne kemi një rregullore për këtë çështje dhe në bazë të kësaj rregulloreje raporti tjetër do të publikohet në dhjetor 2019. Që do të thotë që në atë moment bëhet vlerësimi nëse Shqipëria i ka ndërmarrë këto masa që janë identifikuar nga raporti i një viti më parë. Kjo do të thotë që tani për tani, KE do të bëjë vlerësimin e vet, në rast se, apo kur, qeveria holandeze do të sjellë raportin e saj”, tha Soreca.

“Në fakt është shumë e rëndësishme për të përmendur një gjë tjetër që vetë qeveria holandeze nuk është shprehur se ka një lidhje të qartë mes udhëtimit pa viza dhe krimit të organizuar. Prandaj do të nevojitet të dhëna dhe statistika që të vërtetojnë këtë lidhje që nuk është vërtetuar ende”, u shpreh ai.

Soreca ftoi qeverinë shqiptare dhe atë të holandeze të vazhdojnë dhe intensifikojnë bashkëpunimin e tyre në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Soreca u shpreh se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për udhëtimin pa viza që në vitin 2010. “Udhëtimi pa viza është një arritje për Shqipërinë dhe qytetarët e saj që do të thotë që ka pasur një progres të rëndësishëm për qytetarët e Shqipërisë që prej vitit 2010. Kam qenë personalisht në krye të këtij procesi e kam udhëhequr këtë proces që prej vitit 2010. Jam i bindur që autoritetet shqiptare do të marrin të gjitha masat e duhura që të ruhet kjo arritje fantastike që është bërë tashmë”.

I pyetur nëse ky vendim ka lidhje me hapjen e negociatave, Soreca tha se “të dyja këto procese nuk janë të njëjta prandaj duhet sqaruar kjo”.

Sipas tij, këto janë dy raporte të ndryshme dhe që nuk ka lidhje me vendimin që pritet të merret në  qershor për hapjen e negociatave.

Ai tha se do të shohim nëse për vendimin e parlamentit holandez, qeveria holandeze do t’i kërkojë KE që ta shqyrtojë këtë çështje dhe do të bazohet në bazë të raportit të KE për këtë çështje.

Ndërkohë, tha diplomati europian, ka një raport tjetër i cili do të shikohet në lidhje me çeljen e negociatave në qershor, që do të bazohet në një raport tjetër të BE. /Atsh


MË SHUME NGA Shqipëri