Haradinaj: Një shumë simbolike do të ndahet për Notre Dame
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka treguar shumën e mjeteve financiare që do të ndajë Qeveria e Kosovës, për rindërtimin e katedrales Notre Dame në Paris, por se ka thënë se do të jetë simbolike.
‘Është një gjest, shqiptarët shquhen për një rast të tillë. Nuk e di sa, një shumë simbolike por një gjest do ta bëjë edhe Kosova”, tha Haradinaj.
Kryeministri u është përgjigjur edhe atyre që e kritikuan këtë vendim që pritet të merret nga Qeveria, duke thënë se më mirë do të ishte që ajo shumë të dedikohet për njerëzit në nevojë.
‘Nuk e kanë mirë ata që po mundohen të ua shërojnë zemrat të varfërve, ose të sëmurëve, nuk është ashtu. Ju e dini se në raste të caktuara edhe Franca na i shëron njerëz. Sot në Francë strehohen dhjetëra mijëra qytetarë të vendit tonë, edhe të Prishtinës. I dëgjova shpejt e shpejt disa deklarata të Lumirit, të Shpendit e kuptoj euforizmin, por ruhuni se janë dhjetëra mijëra qytetarë të këtij vendi sot në Francë. Marrin para çdo muaj. Nuk e rinovojmë, por vetëm si gjest për të treguar mirënjohjen e popullit tonë”, tha Haradinaj.























