Rama: Qeveria ka bërë detyrën për çeljen e negociatave
BKT
Shqipëri

Rama: Qeveria ka bërë detyrën për çeljen e negociatave

“Ne kemi bërë detyrën tonë për çeljen e negociatave dhe Komisioni Europian që gjykon mbi të dhëna faktike dhe jo mbi humoret elektorale të një vendi apo një tjetri, jep rekomandimin pozitiv pa kushte, sikurse rekomandoi komisioneri Hahn”, tha sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama.

Duke reaguar ndaj deklaratës së kryetares së grupit parlamentar demokrat në Kuvend, Rudina Hajdari lidhur me plotësimin e detyrimeve për çeljen e negociatave, Rama tha se “fatmirësisht procesi i integrimit për sa na takon ka kritere objektive”.

“Ne do të ishim përgjegjës dhe do të jemi përgjegjës si qeveri dhe do të duhet të japim llogari në rast se KE thotë se nuk i keni plotësuar detyrat. Por ne e kemi detyrën tonë. Nuk e kuptoj se si ne duhet t’i mbushim mendjen Holandës. Është një ambicie që e tejkalon imagjinatën time, se si mund t’i mbushet mendja atyre që nuk duan të dinë për kriteret objektive të një procedure dhe shkojnë dhe iniciojnë procesin në parlamentin e tyre, sepse faktikisht e kanë me ata që i votojnë atje”, tha Rama.

Sipas tij, “KE dha rekomandimin pa kushte vjet dhe do ta japë përsëri sivjet”. “Nuk e ka dhënë ndonjëherë pa kushte më parë dhe kjo tregon se në çfarë pozicioni ndodhet vendi. Në momentin që në Shqipëri thuajse është dyfishuar numri i turistëve të huaj dhe i investimeve të mëdha në turizëm nga Hayat, Marriot etj, kjo tregon se imazhi i Shqipërisë është përmirësuar”, tha Rama.

Sipas tij, “nuk e dobëson pozicionin opozitar, të pasurit e një ideje më të mirë për vendin”. “Ka një mijë e një arsye për ta marrë qeverinë ju, por nuk j’ua tregoj unë. Unë i di, ju nuk i gjeni dot, pasi kapeni me gjëra që shqiptarët i ndiejnë me hundë. Më popull politikanë se shqiptarët nuk ka, e ndiejnë se kush i gënjen dhe i mashtron. Gjeni arsye se ka plot arsye për të thënë se ju jeni më të zotët se ne dhe merrni votat, por mos e bëni këtë duke i bërë padrejtësi këtij vendi”, iu drejtua Rama opozitës. /Atsh


MË SHUME NGA Shqipëri