VIDEO-Institucionet e Kosovës të investojnë më shumë në shëndetësi
18 prilli njihet si Dita Evropiane për të Drejtat e Pacientit, ku në këtë ditë synohet të sensibilizohen pacientët, institucionet shëndetësore dhe ligjvënëse, në respektimin e të drejtave bazë të pacientëve.
Për këtë Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka organizuar tryezën diskutuese mbi temën “Siguria e pacientit dhe infeksionet e lidhura me kujdesin shëndetësor. Kryetari i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra, tha se kjo ditë në Kosovë kremtohet prej vitit 2013.
“Këtë vit ka pasur telashe për pacientët e Kosovës, kas pasur raste kur pacientët janë rrezikuar nga infeksionet e ndryshme”, tha Kodra sot në emisionin “Studio e Hapur”, në RTK3. Sipas tij ka numër të vogël të shtretërve. “Kosova ka problem me prodhim të statistikave në shëndetësi”, tha ai.
Kodra vlerësoi se kremtimi i kësaj dite ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve se kanë të drejta në kujdesin shëndetësorë, por edhe përçimin e mesazhit tek institucionet se duhet të respektohen të drejtat e garantuara me legjislacion.
Ndryshe të drejtat bazë të pacientëve të njohura ndërkombëtarisht afirmojnë dhe garantojnë ushtrim efektiv të tyre nga individët për mjekësinë parandaluese, aksesin në shërbime, informacionin, pëlqimin, zgjedhjen e lirë, jetën private dhe konfidencialitetin, respektin për kohën e pacientëve, të drejtën për t’u ankuar dhe për të marrë dëmshpërblim, etj.
Kodra kërkoi nga institucionet e Kosovës të respektohen ligji për mbrojtjen e pacientëve.
Për më shumë ndiqeni intervistën e plotë të kryetarit të Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra.























