Përçahen tifozët, e ardhmja e Allegrit në udhëkryq
Për anti-juventinët sezoni i bardhezinjve mund të quhet i dështuar, sepse me Cristiano Ronaldon ata do të fitojnë sivjet vetëm titullin kampion, ndërsa sezonin e kaluar, pa portugezin triumfuan jo vetëm në Serinë A, por për më shumë ngritën edhe Kupën e Italisë.
Por me këtë ironi duket se janë frymëzuar edhe një grup jo i vogël i mbështetësve të “Zonjës së Vjetër”, të cilët kanë nisur të kërkojnë “kokën” e trajnerit Masimiliano Allegri, ndonëse ky i fundit konfirmoi se ka kërkuar të qëndrojë, por nga ana tjetër edhe presidenti Andrea Angeli e ka konfirmuar 51-vjeçarin. Gjithsesi, debati në rrjetet sociale dhe në radhët e analistëve vazhdon të jetë i madh, mbi arsyet se pse Alegri duhet të qëndrojë ende ose jo te kampionët e Italisë.
PRO ALLEGRIT – Ta nisim nga ndeshja e fundit… Cila skuadër në botë do të hiqte dorë me kënaqësi nga 3 lojtarë me peshë si Chiellini, Mandzukiq e Costa? Fatkeqësia e Allegrit ishte se në ndeshjen e sezonit iu desh të luante me një infermieri të tejmbushur dhe me një gjendje fizike në rënie, jo për faj të tij, sepse zgjedhjet në shumë raste i ka pasur edhe të detyruara duke parë edhe problemet e shfaqura në 2019-ën nga Ken, Khedira, Cancelo, apo edhe vetë “lartmadhëria” e tij, Cristiano Ronaldo.
Çfarë mund t’i kërkohet më shumë një trajneri si Allegri që në pesë sezone ka arritur dy finale Champions-i, ka dominuar 5 kampionate radhazi, i detyruar edhe nga lojtarët që ka në grup, pa lënë mënjanë 4 Kupa Italie dhe dy Superkupa. Përmbysja me Atleticon ishte një kryevepër e tij taktike, ashtu sikurse edhe sfida e vjetshme në “Bernabeu” ndaj Realit të Madridit, ku ishte ajo penallti e Ronaldos që i ndëshkoi. Dhe mbi të gjitha, për Kristianon ishte viti i parë në Torino.
Mos harrojmë se as te Unitedi dhe as te Reali nuk e bëri diferencën në sezonin e parë, por me të kryer “nxehjen” gjërat ndryshuan, edhe pse atëherë ishte një 20-vjeçar, në Torino sapo festoi 34. Por nëse doni më shumë, shihni Guardiolën… 600 milionë euro të shpenzuara, një lojë spektakolare siç kërkojnë shumë persona, por asnjëherë nuk ka mundur që të shkojë as në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve… Drejtuesit besojnë tek ai, edhe lojtarët gjithashtu, prandaj Alegri e meriton vitin e fundit që ka në kontratë.
KUNDËR ALLEGRIT – Ndoshta është e vërtetë që Champions-i fitohet duke luajtur në sulm. Ajaksi ia konfirmoi Juves këtë gjë sivjet, vjet e parvjet Reali i Madridit apo akoma më shumë në 2015-ën Barcelona. Allegri nuk është nga ata që merr shumë rreziqe, ose edhe kur e bën, e bazon shumë mbi aspektin taktik lojën.
Pastaj, me një si Ronaldo në fushë, 4 humbje në 10 ndeshje të luajtura në këtë sezon të Championsit janë shumë. Për më tepër është pikërisht CR7 që ka vuajtur nga taktika e tepruar e “Kontit Maks”, duke parë se nga Madridi në Torino, mesatarja e realizimeve të Kristianos është përgjysmuar.
Goleadori më i mirë i historisë së Ligës së Kampionëve meriton një skuadër që të vihet në shërbim të plotë të “mbretit” dhe jo “mbreti” në shërbim të skuadrës. Pastaj loja e sivjetshme pritej të ishte më spektakolare, aspekt që sërish ka munguar. Madje, me shumë paraqitje në këtë vit 2019 që kanë qenë shumë të shëmtuara.
Dhe mbi të gjitha, përse këmbënguli shumë shpesh në kampionat duke mos hequr dorë nga Chiellini dhe Manduzkiq apo edhe Costa, duke qenë se këto ishin ata lojtarë që ofronin balancën e duhur në Europë?! Por tashmë, çfarë rëndësie kanë të gjitha këto pikëpyetje.























