Krasniqi thotë se migrimi i kosovarëve nuk është sikur ai i vitit 2015
Migrimi në Kosovë nuk është tani i njëjtë me atë të vitit 2015. Kështu thotë nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Në një intervistë për KosovaPress, Krasniqi thekson se njerëzve duhet t’u krijohet besueshmëri që të mund të kenë perspektiven në Kosovë.
Deputeti Memli Krasniqi u përgjigj edhe temës me punësimet e njerëzve të afërt me pushtetarët, nëpër institucionet publike.
Ai thotë se është e dënueshme të punësohen vetëm familjarët dhe militantët e partive, por nuk është edhe ligjore.
Sipas tij, kjo do të vazhdojë derisa qytetarët nuk vetëdijesohen dhe nuk kërkojnë llogari e transparencë më të madhe prej institucioneve, dhe partive politike.
Krasniqi mendon se organizatat e shoqërisë civile duhet të monitorojnë më shumë transparencën në ndërmarrjet publike.
Ndërsa i pyetur për problemet me listat e veteranëve të UÇK-së, Krasniqi mendon se një çështje e tillë, e cila lidhet me lirinë e Kosovës, nuk është dashur të vijë në këtë nivel.
Sipas tij, duhet të ketë drejtësi në kuptimin e verifikimit se kush janë njerëzit përgjegjës për ato lista.























