VIDEO – Samiti i Berlinit nuk pritet të prodhojë diçka konkrete
Samiti i Berlinit që do të mbahet të hënën ishte temë analize në “Info 3 Live” në RTK 3, e ku mysafir ishte analisti Valon Syla. Ai ka thënë se ky samit duket të jetë më shumë si një mundësi e nxjerrjes së politikës së BE-së më faqe të bardhë pas stagnimit të gjatë të dialogut dhe nuk pritet të prodhojë diçka konkrete.
“Ata po presin vazhdim të negociatave që nënkupton heqjen e tarifës 100 për qind, që është një kërkesë e vjetër, por këtë e shoh me skepticizëm pasi BE nuk ka mekanizëm që do ta detyronte heqjen e taksës në afrim të një marrëveshje të re, e që Qeveria Haradinaj po mundohet të nxjerrë së paku një premtim për liberalizim të vizave, në mënyrë që së paku në janar të vitit 2020 qytetarët të Kosovës të lëvizin lirshëm”, ka theksuar Syla.
Ai tutje ka folur edhe për përplasjet e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj para këtij samiti. Sipas tij nga ajo çfarë është dëgjuar deri më tash nga presidenti dhe kryeministri kemi të bëjmë me dy qëndrime tërësisht të kundërta.
“Presidenti nga ajo çfarë është thënë publikisht ai nuk pret asgjë të re nga ky takim. Ai shkon me skepticizëm dhe nuk pret as të lindë ndonjë ide e re por as të vdesë ndonjë ide. Ajo çfarë presin nga presidenca është që Evropa të tregojë një impotencë të tyre për zgjidhjen e problemeve dhe t’u hapë rrugë amerikanëve të kyçen më shumë në proces në zgjidhjen e këtij konflikti të ngrirë 20-vjeçar, me një marrëveshje obliguese, e cila ligjërisht do t’i obligonte vendet që ta njohin njëra-tjetrën. Ndërkaq, pozicioni i Haradinajt është krejt i kundërt dhe i betonuar”, ka shtuar Syla.
Për më shumë ndiqeni videon e mëposhtme:























