Një i vdekur e 13 të lënduar nga aksidentet në pasditen e kësaj të premte
Disa aksidente kanë ndodhur gjithandej Kosovës nga mesdita e deri këtë mbrëmje.
Një i vdekur e 13 të lënduar është bilanci i fundit në aksidentet e ndodhura vetëm pasditen e kësaj të premte.
Në Milloshevë një person ka vdekur, aksident të cilin e shkaktoi gjendja jo e mirë shëndetësore e ngasësit tashmë të ndjerë i cili paraprakisht kishte pësuar sulm kardiak.
Një tjetër person pësoi lëndime pas aksidentit të tri veturave në rrugën Prishtinë-Gjilan.
Ndërsa katër të tjerë po ashtu mbetën me lëndime truprore këtë mbrëmje, pas përplasjes së disa automjeteve në rrugën Magure – Lipjan.
Veç tyre edhe gjashtë persona të tjerë mbetën sonte të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ndodhi në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë.
Dhë së fundi deri tani u raportua për një tjetër aksident trafiku në magjistralen Ferizaj – Kaçanik, ku si pasojë mbetën të lënduar dy persona, njëri prej të cilëve u nxitua për trajtim të mëtejshëm në QKUK, njofton Klan Kosova.























