Superliga, gjithçka e paqartë 4 javë para fundit të kampionatit
BKT
Sport

Superliga, gjithçka e paqartë 4 javë para fundit të kampionatit

Andin LOKAJ

Gjithçka mbetet e paqartë në luftë për titull kur kanë mbetur edhe 4 javë deri në fund të edicionit në Superligë.

Tre pretendentët për titull shënuan sërish fitore duke e bërë kampionatin edhe më interesant në përfundim, sidomos kur dihet se ata do të ballafaqohen mes vete në fund të këtij stinori.

Edhe me ngushtë mund të jetë javen tjetër, pasi që Llapi luan sërish vendas dhe parashikohet që të mposhtë Trepçën '89. E në anën tjetër dy liderët me pikë të njëjta nga 68 do të jenë mysafirë. Prishtina do të udhëtojë në Gjilan për duel me Dritën, ndërsa Feronikeli i shkon rivalit regjional, Drenicës. 
Dhe nëse ndodh që Llapi të fitojë, ndërsa Prishtina e Feronikeli eventualisht të barazojnë atëherë 3 xhiro para përfundimit të kampionatit do të kishim 3 lidere me nga 69 pikë e që nuk ka ndodhur asnjëherë në futbollin tonë. Gjithçka do të mësohet në ndeshjet interesante të javës së 30-të.

Sa i përket luftës për ekzistencë, pa dyshim që është skuadra e Ferizajt, e cila në fund të kampionatit po tregon formë të qëndrueshme në dallim me skuadrat tjera që po luftojnë t'i ikin barazhit.

Ferizaj me 3 fitore të rëndësishme dy prej tyre në udhëtim kundër Feronikelit dhe Ballkanit e kundër Flamurtarit në shtëpi i ka rritur dukshëm gjasat për t'i ikur zonës së barazhit dhe ka shpresa të shpëtojë bazuar në orarin që e ka. Javën që vjen e pret Lirinë, e cila pothuajse është anëtare e një rangu më të ulët të garave dhe pritën 3 pikë të reja për skuadrën e Bylbyl Sokolit. 

Shumëçka do të varet nga dueli i javës në vijim ndërmjet Gjilanit dhe Flamurtarit si dhe atij ndërmjet KEK-ut dhe Ballkanit.

Pas humbjes në shtëpi nga Ferizaj, Ballkani duhet medoemos të fitojë në Kastriot, ndryshe do të nënkuptohej që nuk është ekip serioz, i cili meriton qëndrimin pa stresin e barazhit.

Bazuar në tabelën e klasifikimit dhe orarin e ndeshjeve, si në luftë për titull ashtu edhe për ikje nga barazhi, si asnjëherë më parë në Superligën tonë, mjegulla do të jetë prezente deri në minutat e fundit të javës përmbyllëse të këtij edicioni.