Baraliu: Serbia nuk ka të drejtë morale ta dërgojë Kosovën në arbitrazh
Pajazit Krasniqi
Paralajmërimet e Serbisë se do ta çojë në arbitrazh Kosovën, nëse nuk hiqet taksa 100% ndaj produkteve të saj, janë të pabaza. Mazllum Baraliu, njohës i së Drejtës Kushtetuese, thotë se Serbia nuk ka të drejtë morale e as ekonomike që ta dërgojë Kosovën në arbitrazh, kur ajo vetë i ka shkelur të gjitha marrëveshjet dhe parimet e vet CEFTA-s në të bërit biznes me Kosovën.
Dërgimi i Kosovës në gjykatën e arbitrazhit, nga ana e Serbisë, nënkupton në mënyrë automatike se kjo e fundit do ta njihte Republikën e Kosovës. Ky është konstatimi i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Në një përgjigje me shkrim, ai i ka thënë Radio Kosovës se Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, në mënyrë konstante kanë vendosur barriera të pajustifikueshme ndaj tregtisë dhe ekonomisë së Kosovës në kundërshtim me objektivat e Marrëveshjes së CEFTA-së. Që Serbia nuk ka bazë ligjore për ta dërguar Kosovën në arbitrazh, e thotë edhe Mazllum Baraliu, profesor i së Drejtës Kushtuese.
“Serbia nuk ka bazë ligjore që ta dërgojë Kosovën në arbitrazh, për arsye se Kosova, nuk është e përfaqësuar në CEFTA nga institucionet tona por është nga UNMIK-u. Dhe UNMIK-u, tani është një substrat inekzistent që i ka kaluar mandati dhe që nuk e njeh sistemi ynë kushtetues juridik. Prandaj, nga ky këndvështrim nuk mundet që Serbia ta dërgojë Kosovën në arbitrazh”, tha Baraliu.
Përveç kësaj, Baraliu përmend faktin se Serbia nuk ka të drejtë morale e as ekonomike që ta dërgojë Kosovën në arbitrazh meqë, sipas tij, ajo i ka shkelur të gjitha marrëveshjet dhe parimet e vet CEFTA-s në të bërit biznes me Kosovën, duke zhvilluar damping për ta shkatërruar shtetin tonë në aspektin ekonomik.
“Është përpjekje e Serbisë për t`i mbuluar këmbët e gjarprit, që po e bën vetë ajo. Pra, duke mos dashur vazhdimin e dialogut e përdor si shkas, gjoja mos vazhdimin e bisedimeve për shkak të vënies së tarifës ekonomike nga ana e Kosovës dhe e fajëson Kosovën” , shtoi Baraliu.
Më 22 nëntor 2018, Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e masës 100% për të gjitha produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Sipas ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, vendimi është marrë duke u bazuar në faktin se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare ndërmjet të dyja shteteve kanë qenë dhe janë thellësisht asimetrike, situatë kjo e cila vetëm ka evoluar për shkak të problemeve politike të shkaktuara nga këto dy vende, e të cilat kanë ndikuar seriozisht duke e dëmtuar Kosovën dhe ekonominë e saj.























