Përkujtohet Agim Selmanaj në 20 vjetorin e rënies
Në Gllogjan të mërkurën është përkujtuar dëshmori Agim Selmanaj, në 20 vjetorin e rënies së tij.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, e kujtuan atë si një luftëtarë që iu bashkua luftës për çlirim qysh në ditët e para, ani pse ishte i ri në moshë.
Në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, qytetarë të shumtë, ish-luftëtarë të UÇK-së dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në varrin e heroit Agim Selmanaj, dy dekada pas rënies së tij.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se familja Selmanaj ia ka kushtuar jetën lirisë ndër breza.
“E kam për nder që bashkohemi aty ku pushon Agimi, aty ku pushojnë dëshmorët dhe heronjtë, t’i kujtojmë, ndoshta është e tepërt për mua të shtoj por bëhet fjalë për një familje që ndër breza ia ka kushtuar lirisë. Këtu e kemi babën, axhallarët që kanë qenë të burgosur politik veprimtarë të hershëm. Ishim në luftë, Agimi ishe në ditët e para të luftës, ato njësitë e para në Gllogjan me bashkëluftëtarë të hershëm Lavdi Agimit dhe gjithë të rënëve për liri”, tha ai.
Në këtë përvjetor në Gllogjan ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se sot po e kujtojnë një hero të Kosovës.
“Në vend që të gëzonte jetën, vetëm 20 vjeçar, ai u desh që të jepte jetën për lirinë e Kosovës. Pse po e përmend këtë , ky është çmimi i sakrificës sonë, ky është çmimi i shtetit tonë. Kjo është ajo që neve si njerëz që kemi mbetur gjallë, si amanet i këtyre njerëzve, dëshmorëve e të rënëve si Agimi nuk na lënë që për asnjë hap, për asnjë milimetër të lëvizim prapa, por ta ruajmë këtë shtet të cilin e kemi sot, shtetin e pavarur e sovran Republikën e Kosovës, dhe të punojmë edhe më shumë, duke e dashur atë, duke punuar ndershmërisht, duke punuar më shumë, që ta zhvillojmë, perspektivë e mundësi që bashkëmoshatarëve të Agimit, sot 20 vjeçar, të kenë perspektivë edhe më të mirë në shtetin e vet, në tokën e vet”, tha Veseli.
Ai tha se të gjithë bashkëluftëtarët duhet të ndihen krenar me veprën e tyre, dhe të punojnë më shumë për vendin.
Në emër të familjes Selmanaj të pranishmit i ka falënderuar xhaxhai i dëshmorit, deputeti Rasim Selmanaj.























