Costacurta: Bakayoko bëri të mbushej kupa
Ish-mbrojtësi i famshëm i Milanit, Alessandro Costacurta, i ftuar në Sky Sport, komentoi vendimin e trajnerit kuqezi Gennaro Gattuso për të dënuar skuadrën me grumbullim të detyruar deri në ndeshjen kundër Bologna-s.
Gjithçka erdhi pas mbërritjes një orë me vonesë në stërvitje të mesfushorit Bakayoko, por Costacurta sheh më larg se kaq, përcjell Telesport.
"Skuadra duhet shkundur në ndonjë mënyrë, në stërvitje, në fushë apo në grumbullim të detyruar. Besoj se vonesa e Bakayokos ka qenë pika që ka bërë të derdhet gota, sepse një vonesë mund të ndodhë, edhe pse nuk ishte hera e parë.
"Duhej një shkundje, paraqitjet e skuadrës kohët e fundit kanë qenë mediokre. Bakayoko ishte thjesht justifikimi, sepse besoj se Gattuso kishte kohë që mendonte se duhej bërë diçka. Gjeste të tilla mund të nevojiten, por duhet gjetur mënyra dhe momenti i duhur. Duhet edhe autoritet".
Costacurta ka edhe një kritikë për kapitenin Alessio Romagnoli: "E mori atë karton të kuq si pasojë e gjithë protestave. Një kapiten i Milanit nuk mund të protestojë në atë mënyrë, gjithmonë. Nuk është e mundur, Romagnoli është një djalë inteligjent dhe nuk mund të bëjë gafa të tilla".























