Kepa e pranon: Gabova, por kam mësuar nga refuzimi i Sarrit
BKT
Sport

Kepa e pranon: Gabova, por kam mësuar nga refuzimi i Sarrit

Portieri i Chelsea, Kepa Arrizabalaga, ka pranuar se ka bërë gabim, kur nuk ka pranuar të dalë nga loja, në finale e “Carabao Cup” kundër Manchester City, duke sfiduar trajnerin e tij, Maurizio Sarri.

Për atë veprim, portieri spanjoll u gjobit dhe u pezullua një ndeshje. Më në fund, 24-vjeçari ka pranuar se atë ditë kishte gabuar.

"E pranova atë që tha trajneri, klubi më gjobiti dhe e mirëkuptova vendimin që të mos luaja ndeshjen tjetër”, tha Kepa për “Daily Mail”.          

“Ishte e drejtë edhe për Willy Caballero. E mbështeta atë dhe ekipin sa munda. Natyrisht, kjo ishte e vetmja gjë që mund të bëja. Ishte diçka që e bëra në nxehtësinë e momentit, për të cilën nuk jam shumë krenar.Ishte një moment i vështirë nga i cili kam mësuar dhe ende po mësoj. Tani është koha për të shikuar përpara. Unë e thashë se veprova keq, por futbolli dhe jeta vazhdon. Të gjithë bëjmë gabime. Nuk isha fort i vetëdijshëm për veprimin derisa pashë pamjet filmike. E pashë momentin e refuzimit nga një këndvështrim tjetër. Deri në atë moment nuk isha i vetëdijshëm për çfarë kishte ndodhur”.