Misioni i NATO-s: Ndarja nga jeta e major Tanushit dhimbje e madhe
Misioni i NATO-s “Enhanced Forward Presence” e cilësoi sot ndarjen nga jeta të major Klodian Tanushit një dhimbje të madhe.
“I shprehim ngushëllimet tona më të thella bashkëshortes, fëmijëve dhe të afërmve të tij. Pasi luftoi për jetën e tij, major Klodjan Tanushi vdiq nga lëndimet e pësuara gjatë një detyre të EOD, në vijën e detyrës më 6 maj 2019, që mori gjithashtu jetën e nëntetares Zarife Hasanaj. Kemi humbur një nga tanët, një vëlla nën armë. Në këto kohë dhimbjeje, mendimet tona shkojnë tek të dashurit, miqtë dhe kolegët e tij. Jeta e tij do të kujtohet”, shprehet misioni i NATO-s “Enhanced Forward Presence”.
Major Tanushi u plagos rëndë në incidentin e 6 majit, ku humbi jetën nëntetarja Zarife Hasanaj si pasojë e shpërthimit të disa municioneve të paplasura gjatë kryerjes së detyrës në bazën e NATO-s në Letoni, ku po zhvillohej stërvitja ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim ka mbetur i plagosur edhe rreshteri Julian Xhevat Kapaj. /ATSh























