Daka: Dëshiroj të kemi të paktën një herë zgjedhje të rregullta
Është kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që nga viti 2010, vit ky kur Kosova i kishte zgjedhjet me pasojat më të mëdha për vendin, ndërsa këtë detyrë pritet ta ketë deri në vitin 2025.
Valdete Daka shpreson që në këto vite sa do të ketë mandat, të mbahen të paktën një herë, zgjedhje të rregullta.
Ajo është gjyqtare në Supreme që shumë vite, tregon punën që bënë aty, flet për sistemin e drejtësisë e edhe për rolin e grave në shoqëri.
Në një intervistë për KosovaPress, ajo deklaron se do të ishte mirë që të ekzistonte një Ligj për KQZ-në, i cili do të sqaronte gjithçka përfshirë këtu mandatin e anëtarëve.
Në veri, sot një javë, më 19 maj, thotë se OSBE-ja do të ketë rol vetëm këshillëdhënës, ku në secilin vendvotim do të jenë nga dy përfaqësues për këshilla të vendvotimeve.
Sa i përket anëtarëve të KQZ-së, Daka nuk flet nëse duhet të ketë anëtarë të të gjitha partive, sepse mund të konsiderohej anim politik.
Ndërkohë, ajo pret që Komisioni parlamentar i krijuar së fundmi për implementimin e rekomandimeve të vëzhguesve të BE-së, të kryejë punën e vet, kështu të bëhen ndryshimet teknike për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë.
Derisa në vendin tonë vazhdimisht përmendet se brenda këtij vitit pritet të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, Daka thotë se janë gjithmonë të gatshëm të organizojnë ato kurdo që janë, por dëshirë ka që të paktën një herë në vitet sa do të jetë në krye të KQZ-së të organizojnë zgjedhje të rregullta.
Dhe nëse ndodh reforma zgjedhore në Kosovë, Daka thotë se do iu duhet kohë, sa i përket çështjeve ligjore e edhe për përgatitjen e stafit.
Si gjyqtare e Gjykatës Supreme, ajo vendos në çështjet penale, në kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë apo edhe për zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit. Aty vendoset për çështjet penale, pra, për fatin e një personi, nëse ai do e kalojë pjesën e jetës në burgim.
Flet për lëndët e mbetura nëpër sirtarë, si dhe për punën e kolegëve të saj.
E pyetur nëse duhet që partitë të pastrojnë listat dhe mos të ketë persona të dyshimtë apo edhe më pak të atillë që është konfirmuar që kanë vepër penale nga emrat që kanë vepra penale, Daka thotë se nuk është etike të ketë të tillë por që sipas saj, është kultura politike ajo që nuk po e tejkalon këtë.
Ndërkohë, si gjyqtare është emëruar për herë të parë si 25 vjeçare në Prizren, dhe ishte e para grua.
E duke pasur parasysh punët që bënë, ku vazhdimisht kolegët e saj janë të gjinisë mashkullore, Daka thotë se shoqëria jonë heziton që grave t’u japin pozita udhëheqëse.
Në komunat të banuar me serb, të dielën e ardhshme do të votojnë rreth 58 mijë persona, e nëse do të jenë dy raunde do t'i kushtojnë buxhetit të vendit rreth 400 mijë euro.























