Vushtrria e Dukagjini në Superligë, Fushë Kosova e Kika në Ligën e Dytë
Pas Vushtrrisë, e cila e sigurojë rikthimin në Superligë një javë më parë, edhe Dukagjini i Klinës tashmë është zyrtarisht pjesë e elitës për edicionin e ardhshëm.
Klinasit e arritën këtë sukses pas fitores në duel me Drenasin dhe njëherësh duke iu falënderuar barazimit faktit që Besa u ndal me barazim 1:1 nga Kika në Hogosht. Ndonëse me pikë të njëjta, nga 59, Dukagjini hynë në Superligë për shkak të bilancit më të mirë në ndeshjet e ndërsjella me Besën. Kësisoj, pejanët së bashku me Vëllaznimin mundësinë për rikthim në Superligë do ta kenë nëpërmjet ndeshjeve të barazhit. Ndërkaq, Kika përveç se i prishi punë Besës me këtë barazim, i prishi punë edhe vetës, ngase për të mbetur në Ligën e Parë i duhej patjetër fitorja. Përveç skuadrës nga Hogoshti në një rang më të ulët të garave ka rënë edhe Fushë Kosova, të cilës nuk i mjaftoi fitorja ndaj Vitisë, pasi Bashkimi i Koretinit fitoi në Gjakovë nga Vëllaznimi. Në fakt, Fushë Kosova ra në këtë situatë me fajin e vet, ngase në ndeshjen kundër Drenasit e inkuadroi një lojtar që nuk kishte të drejtë loje dhe për këtë veprim u dënua nga Komisioni Disiplinor me heqjen e 6 pikëve. Ndërkohë, në barazh për mbetje në Ligën e Parë mbetën Ramiz Sadiku dhe Bashkimi.
Liga e parë
Vëllaznimi - Bashkimi 1:2
Dukagjini - Drenasi 3:1
Fushë Kosova - Vitia 1:0
Arbëria - Istogu 4:1
Ramiz Sadiku - 2 Korriku 2:1
Kika - Besa 1:1
Vllaznia – Trepça 2:0























