Me Josën nuk fitohet titulli
Andin Lokaj
Feronikeli fiton titullin e kampionit të vendit tonë në ndeshjen e javës së fundit dhe vendimtare kundër Prishtinës dhe mund të konkludohet lirisht që ky triumf ishte i merituar.
Prishtina ishte totalisht e dezorientuar me trajnerin Mirel Josa, i cili në asnjë moment nuk dha shenja se ekipi i tij hyri në ndeshjen kruciale të sezonit për të fituar, e ishte vetëm fitorja ajo që vlente. Gjatë 90 minutave Prishtina dukej skuadër e cila mbronte rezultatin me kundërshtarin i cili përkundër që kishte në dispozicion të dyja rezultatet pra barazim - fitore, insistoi shumë më tepër në 3 pikë. Asgjë nuk funksionon kur frikësohesh nga pësimi i golit. E këtë ndjenjë e jepte tërë kohën loja e Prishtinës në ndeshjen finale. Prishtina e mbuloi mirë krahun e majtë të Feronikelit, me Yll Hoxhën i cili në shumë ndeshje ishte në qendër të vëmendjes këtë edicion me harkimet e tij të sakta te top realizuesi Kastriot Rexha, i cili u mbulua gjatë tërë kohës. Por kjo nuk mjafton për të fituar titullin. Në situatën e Prishtinës para duelit final, çdo skuadër do të sulmonte prej fillimit se ska pas çka të humbej më. Por Prishtina edhe njëherë dëshmoi se në ndeshjet më të rëndësishme nuk di të sulmojë dhe nuk di të realizojë gola. Lojë anemike prej filllimit deri në fund, pa kombinime të duhura, pa asnjë koncept, pa asnjë të vetmin aksion që mund të mbahej në mend dhe pa asnjë goditje brenda kornizës së portës të tanimë kampionit të ri të shtetit tonë. Loja e Mirel Josës nuk ishte e rrezikshme për kundërshtarin as nga ndërprerjet, ngase Feronikeli nuk mashtrohet lehtë në këtë element të lojës. Madje nga ndërprerja edhe shënoi golin e titullit të merituar. Ajo që habiti është se skuadra e Prishtinës duke e parë veten se nuk kishte aftësi të depërtonte me ndonjë aksion të shpejtë dhe pasime të shkurta brenda zonës së Feronikelit, asnjëherë nuk tentoi me goditje nga distanca. Por ç’është e vërteta as që mund të bënte diçka në atë drejtim ngase mesfusha e vendësve ishte e përqëndruar maksimalisht për të mos lënë 'shuterët' kundërshtarë të rrezikonin portën e tyre. Definitivisht me këtë lojë që aplikoi Mirel Josa prej se mori timonin e Prishtinës, titulli nuk fitohet. Andaj alarmi u aktivizua dhe koha është për ndryshime në stafin teknik. Dhe jo vetëm. Edhe skuadra duhet të pësojë ndryshime të mëdha ngase shumë lojtarë të Prishtinës nuk e meritojnë të veshin fanellën e klubit më të madh në vend. Prishtinës i duhet një trajner më oportunist, më me emër dhe dukshëm më ofenziv. Trajner i cili aplikon lojë atraktive dhe efikase me plot gola. Një klub si Prishtina mund të dështojë njëherë në këtë mënyrë, por jo edhe të dytën herë rresht. Dhe pas këtij dështimi gjithçka i mbetet fatit. Dhe Prishtina duhet të lutet në fitoren e Feronikelit kundër Trepçës'89 në finalen e Kupës. Në të kundërtën, Lamtumirë Evropë.























