Kuvendi i Kosovës përkujton masakrën e Dubravës
BKT
Lajme

Kuvendi i Kosovës përkujton masakrën e Dubravës

Kuvendi i Kosovës ka përkujtuar 20-vjetorin e masakrës së Dubravës, në një seancë të veçantë, ku deputetët kërkuan që kriminelët të arrestohen dhe të dalin para drejtësisë.

Në këtë seancë, deputetët e mbijetuar nga masakra e Dubravës rrëfyen edhe njëherë përjetimet e tyre, dhe treguan emrat e atyre për të cilët thonë se kanë dëshmi se janë përgjegjës për atë që ka ndodhur dy dekada më parë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Kosova duhet të veprojë institucionalit dhe jo vetëm të numërojë plagët që ka.

Nait Hasani, i mbijetuar i masakrës, tash deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se që dy dekada drejtësia nuk është marrë me këtë rast. Ai tha se asnjë qeveri, dhe as institucionet e drejtësisë nuk e kanë çarë kokën për masakrën e Dubravës, për të cilën përmendi emrat e atyre që kanë qenë të përfshirë në krime.

E pse është heshtur kjo masakër, deputeti i PDK-së thotë se i di arsyet.

Një tjetër i mbijetuar i masakrës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu tha se për masakrën e Dubravës ekzistojnë dëshmi dhe se aty kanë qenë të përfshira drejtpërdrejt struktura shtetërore serbe.

Deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj, i cili gjithashtu i mbijetoi kësaj masakre, përmendi emrat e personave që ai tha se kanë qenë të përshirë në kryerjen e krimeve me urdhër të qeverisë së Serbisë. 

Në këtë seancë, shefi i deputetëve të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha se nuk është vonë për ndjekjen e krimeve.  

Ndërkohë që një tjetër kërkesë që drejtësia të vihet në vend erdhi edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

E deputeti nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka tha se shteti i Kosovës nuk ka bërë pothuajse asgjë për të burgosurit politikë dhe as për masakrat, ndonëse ka mundur të prodhohen qindra filma dokumentarë që do ta tronditnin botën.


MË SHUME NGA Lajme